Çdo komb ka një Hero Kombëtar. Por rrallë i ndodh një vendi kaq të
vogël si Shqipëria të ketë për të tillë, një figurë si Gjergj Kastriot
Skënderbeun. Jo thjesht se për 25 vjet ai e ktheu Shqipërinë në një
barrierë të
sigurt ndaj ushtrive turke, por njëkohësisht ai u bë
barrierë që osmanët mos të përparonin më tej në Evropë. Për këtë qëllim
Evropa e njeh Skënderbeun si një “Atlet të Krishtit”, një mbret dhe një
luftëtar, që, nëse nuk do të ekzistonte, kishte gjasa që kontinenti të
ndërronte fenë. Me rastin që dje Heroi ynë Kombëtar kishte ditën e
vdekjes “Tirana Observer” sot boton 50 ngjarje dhe fakte nga jeta e
heroit, ngjarje në formë të përmbledhur.
1. Gjergj Kastriot
Skënderbeu lindi në Dibër, më 6 maj të vitit 1405. Vdiq në qytetin e
Lezhës, më 17 janar të vitit 1468. Ai jetoi 62 vjet, 9 muaj e 12 ditë.
Skënderbeu është figura më e shquar në historinë e Shqipërisë.
2. Gjergj Kastriot Skënderbeu mban titullin Hero Kombëtar që nga viti
1965, titulli më i lartë dhe i vetëm që mban një shqiptar për vlerat e
larta të figurës së tij.
3. Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte
djali më i vogël i Gjon Kastriotit, princit të Shqipërisë së Veriut dhe i
princeshës malazeze, Vojsava. Gjergji ishte fëmija i fundit midis 4
djemve dhe 5 vajzave.
4. Gjergj Kastriot Skënderbeu u martua me
Donika Aranitin nga Kanina e Vlorës dhe me të pati një djalë, Gjonin,
emrin e të cilit ia vuri për nder të të atit. Për nder të të atit, i
biri i Gjonit mori emrin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
5.
Vlera më e lartë kombëtare e figurës së tij është se për 25 vjet ai
mbajti larg Shqipërisë ushtrinë turke, duke e thyer pothuajse në çdo
betejë. Janë të shumta betejat e fituara nga Skënderbeu së bashku me
ushtrinë e tij.
6. Vlerat e figurës së Skënderbeut janë
ndërkombëtare, duke qenë se ai u bë prijësi i barrierës ndaj ushtrive
turke për pushtimin e Evropës dhe mosshtrirjes së fesë islame në
kontinentin evropian.
7. Gjergj Kastrioti Skënderbeu i përkiste
fesë së krishterë. U shndërrua në mysliman, pasi shkoi në ushtrinë turke
dhe më pas u kthye përsëri i krishterë. Kjo ishte feja më e përhapur në
Evropë në atë kohë.
8. Nga personalitete të huaj, nga historinë
të huaj, ai ka marrë epitete të tilla si “Atlet i Krishtit” dhe
“Ideatori i Aleancës së Parë Euroatlantike”. Epitete këto që e ngrenë
shumë lart figurën e Heroit tonë Kombëtar.
9. Mendohet se Gjergj
Kastriot Skënderbeu ishte shtatshkurtër, truplidhur dhe shumë i
fuqishëm. Shpata të cilën përdori ai ishte e vështirë për ta përdorur
një njeri i zakonshëm për nga pesha e saj.
10. Sot në botë emrin e
Gjergj Kastriot Skënderbeut e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytetet më
të rëndësishëm të botës, duke filluar që nga Tirana, Prishtina, Zyrihu,
Parisi, Roma, Çikago, Shkupi, etj.
11. Buste dhe shtatore të
Skënderbeut ndodhen në Londër, Spanjë, Buones Aires, Neë York, Kanada,
Kosovë, Tiranë. Në të gjitha punimet artistike, Heroi Kombëtar qëndron
hipur mbi kalë duke simbolizuar luftëtarin.
12. Përkrenarja me
kokën e dhisë që mbante Skënderbeu ishte një simbol i huazuar nga
legjendat e Pirros së Epirit dhe Aleksandërit të Madh. Ajo është me
metal të bardhë dhe me një rrip (ruban) të larë me ar.
13. Janë
dy shpata të Skënderbeut. E para i është dhuruar nga Papa në
Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5
centimetra dhe e gjerë 5.7, peshon 1.3 kg. E dyta është model turk,
është 121 cm dhe peshon 3.2 kg.
14. Kali i Skënderbeut është një
tjetër simbol që ka shoqëruar heroin. Sipas Barletit, ai ishte i bardhë,
i një race të zgjedhur. Pas vdekjes së Skënderbeut, ai nuk pranoi t’i
hipte njeri tjetër dhe ngordhi.
15. Në moshë të vogël së bashku
me tre vëllezërit e tij, Skënderbeu u mor peng nga Sulltan Murati II, si
ndëshkim për luftën që i shpalli Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut,
si dhe u vendos në Edrene të Turqisë.
16. Për trimërinë dhe
zotësinë në artin ushtarak që tregoi gjatë betejave me ushtrinë osmane,
gjatë betejave në Azinë e Vogël, Skënderbeu mori nga Sulltani titullin e
gjeneralit. Skënderbeu studioi në Stamboll artin ushtarak, njihte
gjuhën osmane, latine dhe shqip, si dhe shkruante dhe kishte oratori të
lindur. Ballkani dhe Azia e Vogël ishin disa nga detyrat e tij ushtarake
pas mbarimit të shkollës, duke u dalluar për trimëri.
17.
Familja e Kastriotëve kishte një principatë të vogël në malet midis
Matit dhe Dibrës, në kufirin verior, në zotërimet e Topiajve. Kostandin
Kastrioti e filloi sundimin e tij mbi këtë principatë në vitin 1383.
18.
Gjatë gjithë jetës së tij, Gjergj Kastriot Skënderbeu zhvilloi 30
beteja, nga të cilat 29 prej tyre i fitoi dhe vetëm një humbi. Betejat e
udhëhequra nga Skënderbeu kanë qenë nga më të fortat dhe më të
përgjakshmet.
19. Dy janë uniformat që ka përdorur Gjergj
Kastrioti Skënderbeu. E para ishte uniforma e luftës, me përkrenare dhe
parzmore. Ndërsa veshja tjetër që përmend Barleti është ajo popullore me
qeleshe dhe xhubletë.
20. Eshtrat e Skënderbeut u zhvarrosën nga
turqit pas rënies së Krujës, më 1480, 12 vjet pas vdekjes. Varri i tij,
që ndodhej në Kishën e Shën Nikut në Lezhë, u dhunua dhe eshtrat u
morën si hajmali nga ushtarët turq.
21. Skënderbeu ka deklaruar
se, “unë jam pasardhës i Pirros së Epirit”. Marin Barleti në veprën e
tij thotë se Skënderbeu i referohej shpesh origjinës së Pirros.
22.
Dy herë Papa Piu II kërkoi të vinte në Shqipëri me qëllim kurorëzimin
mbret të Skënderbeut. Në arkivat e Vatikanit ndodhet dokumenti që do të
kurorëzonte Skënderbeun, Mbret të Epirit.
23. Emrin e Skënderbeut
e mbajnë të paktën 10 objekte dhe institucione. Tri rrugë në Tiranë,
Durrës e Krujë; një muze në Krujë, një fshat në Librazhd, një pije
alkoolike konjak, një skuadër futbolli e Korçës, universiteti ushtarak,
një titull i lartë, “Urdhri Gjergj Kastriot Skënderbeu” dhe një shesh në
kryeqytet.
24. Emri i Skënderbeut u propozua nga Sami Frashëri
t’i vendosej kryeqytetit të vendit. Në 1889 në veprën e tij “Shqipëria
ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, Frashëri mendon që qyteti të
ngrihej në fushën e Tiranës.
25. Biografi i parë i Skënderbeut ka
qenë Marin Barleti, në vitet 1504, me veprën “Historia e jetës dhe e
bëmave të Skënderbeut”, botuar në gjuhën latine. Ndërsa në gjuhën shqipe
Fan Noli, Sabri Godo dhe historiani Kristo Frashëri.
26. Familja
e Kastriotëve kishte një principatë të vogël në malet midis Matit dhe
Dibrës, në kufirin verior, në zotërimet e Topiajve. Kostandin Kastrioti e
filloi sundimin e tij mbi këtë principatë në vitin 1383.
27.
Rreth 60 kilometra katror dhe një kështjellë iu dhuruan Skënderbeut nga
Mbreti i Napolit, Alfonso, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën që i dha.
Ky vend edhe sot është pronë e pasardhësve të Skënderbeut.
28.
Lekë Zaharia, Moisi Golemi, Hamza Kastrioti, Gjon Muzaka, Pal Engjëlli,
Gjergj Araniti, Andrea Topia, Vrana Konti, ishin bashkëpunëtorët më të
afërt të Skënderbeut. Megjithëse dy prej tyre e tradhtuan.
29.
Fjalimi më i rëndësishme dhe më i mbajtur mend, është ai i mbërritjes në
qytetin e Krujës. Fjalët “lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta në mesin
tuaj”, kanë vlerë letrare dhe mendimi edhe sot e kësaj dite.
30.
Për Gjergj Kastriot Skënderbeun shkrimtari Longfelloë ka shkruar poemë,
opera nga François Francoeur dhe François Rebel dhe një tjetër e
shkruar nga Antanio Vivaldi, piktori i madh Rembrand ka bërë pikturë
portretin e tij.
31. Për figurën e Skënderbeut dhe për
personazhin të tij janë shkruar në të gjithë botën 600 libra, mes tyre
romane, libra historikë dhe tregime, madje edhe legjenda, duke e ngritur
në piedestal figurën e Skënderbeut.
32. Tri mbahen mend si
tradhtitë më të mëdha ndaj Skënderbeut. Nipi i tij, Hamza Kastrioti,
princi Moisi Golemi dhe tradhtia në betejën e Beratit, betejë kjo që
është konsideruar e vetmja e humbur nga ushtria e Skënderbeut. Ballaban
Pasha ishte gjenerali turk që u ndesh më tepër me Skënderbeun. Ballabani
ishte shqiptar dhe për portën e lartë ishte i vetmi që e njihte artin e
luftës së Skënderbeut. Në një betejë i vrau 8 komandantë të lartë
Skënderbeut.
33. Tri herë qyteti i Krujës, që ishte dhe qendra e
Skënderbeut, u rrethua nga ushtritë osmane. Dy herë nga sulltanët dhe
një herë nga gjenerali më i lartë turk, Evrenoz Pasha. Por nën mbrojtjen
e Skënderbeut qyteti asnjëherë nuk ra.
34. Dy sulltanë erdhën
vetë në Shqipëri për të ndëshkuar Skënderbeun. Murati II, i cili thuhet
se pas humbjes vdiq nga hidhërimi gjatë rrugës së kthimit, si dhe djali i
tij, Mehmeti, i cili e la në mes rrethimin e Krujës.
35. Në të
tri rrethimet e Krujës Skënderbeut iu desh të përballej me një ushtri
shumë herë më të madhe në numër. 100 mijë me Sulltan Muratin dhe po kaq
me Sulltan Mehmetin dhe gjeneralët.
36. Titulli Skënderbej
“Iskander Bej” ose “Aleksandër i Madh”, iu dha nga Sulltan Murati II,
pas fitoreve të betejave në Azi. Gjithashtu iu dha dhe titulli
“Sanxhakbej” për zonën e Shqipërisë në vitet 1437-1438.
37. Rreth
pesë mijë të vrarë mendohet se është numri më i madh i ushtarëve që ka
humbur Skënderbeu në një betejë. Historianët turq thonë se beteja e
Beratit ishte dështimi më i madh i Skënderbeut.
38. Një herë
Skënderbeu vendosi paqe të përkohshme me Sulltan Mehmetin pas disfatave
të ushtrisë turke. Historianët kanë mendime të ndryshme, por Barleti
thotë se osmanëve u duhej të linin pak kohë Skënderbeun dhe të merreshin
me luftërat në Bosnjë dhe Azi.
39. Më 1443 Skënderbeu braktisi
ushtrinë turke. I dërguar nga Sulltani për t’u ndeshur me hungarezët e
drejtuar nga Janosh Huniadit, Skënderbeu me ushtarët e tij besnikë
largohet nga beteja dhe drejtohet për në Shqipëri.
40. Më 28
Nëntor të vitit 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve.
Kjo ndodhi pasi Gjergj Kastrioti me një sërë masash ushtarake shtiu në
dorë qytetin e Krujës dhe atje ngriti flamurin kuq e zi.
41.
Lufta e kalorësisë ishte një nga mjeshtëritë e Skënderbeut. Kalorësia e
pajisur me armë të lehta ishte një nga më të përdorshmet, duke bërë që
të sulmonte radhët e armikut dhe të tërhiqej shpejt.
42. Pas 25
vitesh luftë, në janar të vitit 1468 Skënderbeu thirri një tjetër kuvend
me princat shqiptarë. Barleti thotë se ato ditë Skënderbeu u sëmurë
rëndë nga ethet dhe shëndeti i tij nuk u përmirësua më.
43. Për
vdekjen Skënderbeut ka pasur disa hipoteza. Në veprën e Barletit thuhet
se ai vdiq në moshën 62-vjeçare pa asnjë shkak natyror. Vitet e fundit
studiuesi Aurel Plasari hedh tezën se Skënderbeu mund të jetë helmuar.
44.
Lidhja e Lezhës është i pari bashkim i princërve shqiptarë për të
kundërshtuar pushtimin osman. Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte
organizator i kësaj lidhjeje historike nga ku nisi dhe qëndresa e
arbrit.
45. Gjoni, djali i vetëm i Skënderbeut, u largua në
Napoli pas vdekjes së të atit, ku mori titullin “Dukë” dhe “Kont”. U
martua me Irena Brankoviç Paleologu, pasardhësja e fundit e familjes
perandorake të Bizantit dhe patën shumë fëmijë. Pasardhësit u
shpërngulën në Leçe, në vitin 1700.
46. Gjyshi i Gjergj Kastriot
Skënderbeut, Gjoni, vendosi sundimin e tij në Krujë në vitin 1439, por
mësohet se Venediku e shpalli armik dhe i preu kokën në Durrës, në vitin
1402. Pas atij erdhi i biri, Gjoni, babai i Skënderbeut, i cili e mori
Krujën përsëri dhe gradualisht e shtriu sundimin e tij mbi Tiranën,
Matin, Dibrën dhe Mirditën, nga Prizreni në lindje, deri në detin
Adriatik në perëndim.
47. Nga viti 1407 deri më 1430, Gjoni
luftoi periodikisht me turqit, u mund 3 herë dhe u detyrua të pranonte
kushte të rënda paqeje. Pas humbjes në vitin 1421, ai mbante një
kontroll të kufizuar në principatën e tij.
48. Pas Kuvendit të
vitit 1443, Skënderbeu më 2 mars të vitit 1444, mbajti Kuvendin pasues
në Katedralen e Shën Kollit të qytetit të Lezhës. Ky ishte i pari Kuvend
Kombëtar i princërve dhe i fisnikëve shqiptarë të shek. XV.
49.
Portreti më i hershëm i Gjergj Kastriot Skënderbeut daton në vitin 1466.
Gentile Bellini, në vitin 1466 kur Heroi vizitoi qytetin e Lagunovës në
Itali, e pikturoi atë me urdhër të autoriteteve venedikase, sipas
autorit Friedrich Kenner, mendohet se portreti ka qenë me profil majtas.
50.
Një fakt tjetër në jetën e Skënderbeut është edhe iniciativa papnore
enciklike për nderimin botëror të Gjergj Kastriotit. Me iniciativën e
tij papa i romes mendoi t’i jepte këtë titull të lartë Heroit tonë
Kombëtar, i cili është një nga vlerësimet më të mëdha në atë kohë.